
Ndalohet hyrja në këtë faqe
Qeveria iraniane me ndihmën e kompanive evropiane të telekomunikimit ka ndërtuar një nga mekanizmat më të sofistikuar në botë për kontrollin dhe censurimin e Internetit. Kjo i ka mundësuar analizimin e përmbajtjes së komunikimeve individuale në një shkallë masive.
Ekspertët brenda dhe jashtë Iranit thonë se përpjekjet për monitorimin e Internetit në Iran shkojnë përtej bllokimit të aksesit të ueb-faqeve, apo shkëputja e linjës së Internetit.
Në përballjen me trazirat politike të javëve të fundit, qeveria iraniane duket se ka vënë në praktikë atë që quhet “inspektim i hollësishëm i paketave”, proces që i mundëson autoriteteve jo vetëm të bllokojnë komunikimet, por të monitorojnë dhe të mbledhin informacione për individët, si edhe ta ndryshojnë informacionin për qëllime dezinformimi.
Kapaciteti monitorues është mundësuar, të paktën një pjesë e tij, nga një bashkëpunim i gjigantit gjerman Siemens AG dhe kolosit finlandez të celularëve Nokia Corp. në pjesën e dytë të vitit 2008 siç e ka konfirmuar një zëdhënës i bashkëpunimit, Ben Roome.
“Qendra e monitorimit” e instaluar brenda monopolit qeveritar të telekomunikimeve ka qenë pjesë e një kontrate më të gjerë që përfshinte teknologji për ndërtimin e rrjeteve celulare në Iran, ka thënë Ben Roome.
“Nëse shet rrjete, në thelb shet edhe aftësinë e kontrollit të komunikimeve që kryhen nëpërmjet tyre” thotë Roome.
Qeveria iraniane ka eksperimentuar me pajisjet në disa periudha në muajt e shkuar, por nuk është përdorur gjerësisht, dhe kapacitetet e plota të këtij sistemi ende nuk ishin shfaqur tërësisht, të paktën jo deri javët e fundit, thonë ekspertët.
“Nuk e dinim që mund të bëhej kaq shumë”, thotë një inxhinier rrjetesh në Teheran. “Tani e dimë se kanë gjëra të fuqishme që u lejojnë për të kryer përgjime komplekse mbi rrjetin.”
Inspektimi i hollësishëm i paketave përfshin futjen e pajisjeve në një fluks të dhënash që qarkullojnë në rrjet, nga email-et dhe telefonatat në internet deri tek pamjet dhe mesazhet e transmetuara në rrjetet sociale si Facebook dhe Twitter. Çdo paketë të dhënash shifrore shpërbëhet, inspektohet për të dhëna kyç dhe rindërtohet brenda pak milisekondave. Në rastin e Iranit kjo kryhet për të gjithë vendin në një nyjë qendrore.
Gjithë sytë janë kthyer nga Interneti në mes të krizës në Iran, dhe përpjekjet e qeverisë për të vënë nën kontroll informacionin. Ndërhyrja në trafikun qarkullues në Internet shpjegon përse qeveria e ka lejuar vazhdimin e funksionimit të Internetit, tregon edhe pse shpejtësia e funksionimit ka qenë kaq e ulët në ditët pas zgjedhjeve presidenciale.
Përdoruesit e internetit në vend tregojnë se shpejtësia e linjës është 10 herë më e ulët se normalisht. Inspektimi i hollësishëm i paketave vonon transmetimin në kohë reale të të dhënave thonë ekspertët.
Irani po “gërmon në ato që po thotë populli”, thotë Bradley Anstis, drejtor i strategjisë teknike pranë Marshalle Inc., një kompani për sigurinë në Internet në Kalifornia.
Taktikat e qeverisë iraniane janë pjesërisht të ngjashme me ato të qeverisë kineze, të cilat kanë vënë në praktikë sisteme censurimi, monitorimi e përgjimi të trafikut të internetit.
Tashmë teknikat e bllokimit të aksesit në faqe të caktuara shoqërohen me përgjim dhe “alterim” në kohë reale të të dhënave të transmetuar në linjë.
Grupet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut kanë kritikuar shitjen e këtyre teknologjive Iranit dhe regjimeve të tjera shtypëse, sepse përdoren për të “shtypur” fjalën e lirë të popullit, siç është treguar kohët e fundit me trazirat në Iran.
I pyetur për shitjen e këtyre pajisjeve qeverive si ajo e Iranit, Ben Roome, zëdhënësi i Nokia Siemens Networks ka thënë se kompania “ka të drejtë të zgjedhë të bëjë biznes ose jo në çdo vend. Ne besojmë se dhënia e mundësisë së komunikimit njerëzve është më mirë se t’u heqësh tërësisht mundësinë për t’u dëgjuar”.
Por qeveritë shtypëse nuk janë të vetmet të interesuara në teknologji të tilla. Britainia ka një listë ueb-faqesh të bllokuara dhe qeveria gjermane po shqyrton një masë të tillë. Në Shtetet e Bashkuara NSA i ka kapacitete të tilla që janë përdorur si pjesë e “Programit të Mbikqyrjes së Terroristëve” nga qeveria Bush. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë nuk ka komentuar për mënyrën se si apo nëse këto kapacitete po përdoren nga administrata Obama.
Qeveria australiane po eksperimenton filtrimin e ueb-faqeve për mbrojtjen e rinisë nga pornografia në Internet, nismë që ka nxitur kritika për censurën e mbështetur nga qeveria.
Tanimë jo vetëm “muret kanë vesh” por individët monitorohen në çdo hap të komunikimit të tyre.
Herë të shfletuara: 567