LONDËR (Reuters) – Kreu i Kishës Katolike Romane në Angli dhe Uells është i shqetësuar se përdorimi i tepërt i mesazheve elektronikë (e-mail) dhe atyre të telefonave mobilë (sms) po krijon miqësi të cekët dhe po e gërryen jetën në komunitet, sipas një interviste të botuar të dielën.
Vincent Nichols, Kryepeshkopi i Uestminister, tha gjithashtu se faqet popullore të rrjeteve shoqërore po e udhëheqin rininë drejt formimit “marrëdhënieve të përkohshme” e cila i vë ata në rrezik vetëvrasjeje kur këto shkatërrohen.
“Miqësia nuk është një mall, miqësia është diçka që kërkon punë të palodhur dhe e qëndrueshme kur është e duhura”, tha ai në gazetën “Sunday Telegraph”.
“Mendoj se ka një shqetësim se përdorimi i tepërt, apo një përdorim pothuajse i jashtëzakonshëm i mesazheve elektronike dhe telefonike do të thotë se si një shoqëri ne po humbasim disa nga aftësia për të ndërtuar komunikim ndërpersonal, që është i nevojshëm për të jetuar së bashku dhe për të ndërtuar një bashkësi.”
Kryepeshkopi, 63 vjeçar, tha se përdorimi i shumtë i informacionit elektronik ishte “çnjerëzor”, duke çuar në një humbje të aftësive shoqërore dhe zotësisë për të lexuar gjendjen shpirtërore të një personi nëpërmjet gjuhës së trupit të tyre.
Veç kësaj faqet e rrjeteve shoqërore nxisin fëmijët t’i japin një rëndësi të tepërt numrit të shokëve që kanë në vend të cilësisë së marrëdhënieve të tyre, tha ai.
“Ndër njerëzit e rinj shpesh një faktor kyç në kryerjen e vetëvrasjeve është trauma e marrëdhënieve të përkohshme. Ata e hedhin veten e tyre në një miqësi apo në një rrjet miqësish, më pas ajo shembet dhe ata ndihen të braktisur”, tha Nichols.
Herë të shfletuara: 796