Valët e trurit do zëvendësojnë tastierën dhe miun, do telefonojnë dhe do ndërrojnë kanalet e televizorit.
Në vitin 2020 s’do ju nevojiten më miu dhe tastiera për të kontrolluar kompjuterin, thonë kërkuesit e Korporatës Intel. Në vend të tyre, përdoruesit do i hapin dokumentet dhe do lundrojnë në Internet vetëm duke përdorur valët e trurit.
Shkencëtarët në laboratorin e kërkimeve të Intel në Pitsburg po punojnë për të gjetur mënyra për të lexuar dhe interpretuar valët e trurit që të përdoren për komandimin e kompjuterëve, televizorëve, dhe celularëve. Valët e trurit do detektohen me sensorë të zhvilluar nga Intel të cilët do jenë implantuar në trurin e personave.
Shkencëtarët thonë se ky plan nuk del nga një film fantashkencor – Vëllai i madh nuk do ju fusë qarqe në tru pa pëlqimin tuaj. Kërkuesit presin që konsumatorët do e duan lirinë që do fitojnë me përdorimin e qarqeve të tillë.
“Mendoj se qeniet njerëzore përshtaten shumë shpejt”, thotë Andrew Chien, zëvendës president dhe drejtor i teknologjive për të ardhmen në laboratorët e kërkimit të Intel. “Nëse do u thoshe njerëzve para 20 viteve se do i mbanin me vete kompjuterët gjithë kohën, do të përgjigjeshin, ‘Nuk dua. S’e kam nevojën’. Tani nuk i ndal dot më njerëzit nga mbajtja e aparaturave me vete. Ka shumë gjëra që duhen bërë paraprakisht, por mendoj se kjo gjë është brenda harkut të mundësive.”
Intel deklaron se njerëzit do lodhen me komandimin e pajisjeve me anë të gishtave, dhe në të ardhmen do duan t’i komandojnë me trurin e tyre.
“Po përpiqemi të tregojmë se me anë të valëve të trurit mund të bëhen gjëra interesante. Më pas njerëzit do jenë më të predispozuar ndaj implantimit të qarqeve për komandimin e pajisjeve. Imagjinoni të keni mundësinë të lundroni në internet vetëm me anën e mendimeve tuaja.”
Për ta arritur këtë rezultat, Intel po bashkëpunon me Universitetin Carnegie Mellon dhe Universitetin e Pitsburgut për të dekodifikuar aktivitetin e trurit njerëzor.
Kërkuesit e Intel kanë përdorur makinat Functional Magnetic Resonance Imaging (FMRI) për të përcaktuar si flukset e gjakut ndryshojnë në zona të ndryshme të trurit në varësi të fjalës apo pamjes që është duke menduar personi. Njerëz të ndryshëm kanë treguar modele të ngjashme aktiviteti trunor për mendime të ngjashme.
Për shembull, nëse dy njerëz mendojnë pamjen e një ariu ose dëgjojnë fjalën ari, apo dëgjojnë zërin e ariut, një neuropamje do tregonte aktivitet të ngjashëm në tru. Në thelb, ka forma standarde që shfaqen në tru për pamje, apo fjalë të ndryshme.
Intel ka deklaruar se kërkuesit janë afër arritjes së aftësisë për të ndërtuar teknologji sensorësh për trurin në një aparat që vendoset në kokë dhe të përdoret për të komanduar një kompjuter. Hapi i radhës është të ndërtohet një sensor i vogël që të implantohet në tru.
Përpjekjet për të përdorur trurin për të komanduar pajisje s’janë të reja, por Intel është angazhuar aktivisht në këtë drejtim, dhe me shumë gjasa, në 10 vitet e ardhshme do i shohim praktikisht këto shpikje.
Herë të shfletuara: 1414