Microsoft Windows 7 ‘bazuar në Mac OS X’

Microsoft përballë Apple

Microsoft përballë Apple

Një nga ekzekutivët e vjetër të Microsoft tha se sistemi i ri i shfrytëzimit, Windows 7, ishte bazuar në sistemin e shfrytëzimit të rivalit Apple, OS X.
Simon Aldous, menaxher i një grupi partner me kompaninë e programimit, i tha revistës së shitjes së kompjuterëve PCR: “Ajo çfarë ne jemi përpjekur të bëjmë me Windows 7… ka qenë të krijonim një pamje dhe ndjenjë Mac në kushtet e grafikës”.
“Një nga gjërat që thonë njerëzit tmerrësisht shpesh rreth Apple Mac është se sistemi i tij i shfrytëzimit është fantastik, shumë grafikor dhe i lehtë në përdorim”, tha zoti Aldous.
“Ne kemi përmirësuar ndjeshëm ndërfaqen grafike të përdoruesit [në Windows 7], por ai është i ndërtuar në atë bërthamën shumë të qëndrueshme të teknologjisë Vista, e cila është larg qëndrueshmërisë së platformës aktuale të Mac, për shembull.”
Microsoft tha se komentet ishin “të pasakta dhe të painformuara”.
“Një citim i pasaktë ka qarkulluar vërdallë nëpër internet sot rreth origjinës së dizajnit të Windows 7 dhe nëse pamja e tij dhe ndjesia është “huazuar” nga Mac OS X’, shkroi Brandon LeBlanc, një inxhinier i Microsoft, në ditarin elektronik të kompanisë. “Fatkeqësisht kjo erdhi nga një nëpunës i Microsoft, i cili nuk qe i përfshirë në ndonjë aspekt të dizajnit të Windows 7.”
Ekspertët e teknologjisë kanë debatuar rregullisht nëse Microsoft dhe Apple kanë huazuar teknologji nga njëra-tjetra. Në 1988, të dyja kompanitë ishin përfshirë në një konflikt ligjor se cila prej tyre kishte shpikur disa veçori të ndërfaqes së Windows 1.0.
Apple e ka kritikuar Windows 7 si “teknologji prapanike”. Brian Croll, zëvendës president i divizionit të marketingut të OS X të Apple, tha se përdoruesit e Windows ishin të lodhur nga të gjitha “dhimbjet e kokës” që vinin nga përdorimi i një sistemi shfrytëzimi të Microsoft.
“Përdoruesit e Windows janë me të vërtet të lodhur nga të gjitha dhimbjet e kokës që kanë pasur për vite me radhë, duke filluar që prej Windows ME në NT në Vista dhe tani në Windows 7”, tha ai.
“Si rezultat, mendoj se njerëzit po kërkojnë diçka ndryshe, dhe Mac ofron realisht lehtësi në përdorim, qëndrueshmëri dhe siguri.”

Herë të shfletuara: 894
FacebookLinkedInEmailBookmark/FavoritesShare

About Sokol Dollani