
Prokurorët e Milanos të mërkurën kanë kërkuar dënim me burg nga 6 muaj deri në një vit për 4 drejtues të Google të cilët akuzohen se kanë shkelur ligjet italiane të privacy-s me postimin e një videoje që tregon rrahjen e një djali adoleshent handikapat.
Kërkesa e prokurorëve është shoqëruar me një kërkesë për pagesën e 300,000 € nga avokatët e këshillit bashkiak milanez për dëme materiale dhe morale.
Çështja lidhet me një video prej 3 minutash të filmuar me celular që tregon rrahjen e një djali handikapat nga shokët e tij të klasës në një shkollë në Torino.
Drejtuesit e Google të akuzuar janë David Drummond, kryekonsulent ligjor i Google, Peter Fleischer, këshilltar global për privacy-n; dhe George De Los Reyes, ish kryefinancier. Është kërkuar edhe burg për 6 muaj për Arvind Desikan, ish kreu i Google Video Europe.
Videoja në fjalë ka ndenjur online për dy muaj para se një fushatë sensibilizuese të detyronte autoritetet italiane të urdhëronin Google ta fshinte.
Edhe pse gjasat për arrestimin me burg të të 4 të akuzuarve janë zero, është e rëndësishme të vendosen bazat për të bërë dallimin ku mbaron argëtimi dhe fillon cenimi i individit me materialet që publikohen në internet.
Herë të shfletuara: 818