Në Evropë vetëm vitin e shkuar rreth 10 milionë persona janë përballur me humbje të përhershme të dëgjimit për shkak të dëgjimit të muzikës me volum të lartë, për periudha të gjata.
Komisioni Evropian po kërkon vendosjen e një volumi maksimal në Luajtësit MP3 për të mbrojtur dëgjimin e përdoruesve.
Komisioni do që të gjithë Luajtësit MP3 që shiten në eurozonë të kenë të njëjtin kufi volumi, përfshirë iPod-ët.
Ekspertët e BE duan që volumi maksimal të vendoset 85 decibel, sipas “One’s Politics Show” të BBC.
Përdoruesit do jenë në gjendje ta tejkalojnë këtë vendosje për të arritur një nivel maksimal volumi prej 100 decibel.
Në janar do nisë një konsultim dy-mujor i të gjitha organizmave të standardizimit të BE për këtë qëllim, me një marrëveshje përfundimtare që pritet të arrijë në pranverë.
Disa luajtës muzike të testuar në ambientet e fabrikës ku prodhohen janë gjetur me nivel volumi deri 120 decibel, nivel sa ngritja nga toka e një avioni, dhe nuk kanë nivele standarde sigurie, edhe pse prodhuesit janë të detyruar të shtypin informacion për rreziqet në manualet e përdorimit.
Kërkimi tregon se shurdhimi mes të rinjve është në rritje për shkak të zakoneve të tyre të dëgjimit të muzikës.
Luajtësit modernë shihen si më të rrezikshëm krahasuar me luajtësit tradicionalë sepse ata ruajnë shumë orë muzikë dhe shpesh dëgjohen në ecje me volum maksimal për të mbytur zhurmat e jashtme.
Dr. Robin Yeoh, konsulent audiolog tek Epsom dhe St. Helier NHS Trust, thotë: “Gjithmonë e më shumë të rinj paraqiten para nga prindërit e tyre me probleme me dëgjimin si rezultat direkt i ekspozimit ndaj muzikës me volum shumë të lartë. Është tipi i dëmit që në të shkuarën do vinte nga zhurma industriale. Dëmi është i përhershëm dhe shpesh kufizon mundësitë e tyre të punësimit dhe jetën e tyre personale.”
‘Zgjedhje personale’
DigitalEurope, organi i Brukselit që përfaqëson industrinë bie dakord se siguria duhet rritur. Por sipas zëdhënësit të tyre Tony Graziano, “zgjidhja duhet të gjendet në një balancë mes sigurisë dhe kënaqësisë që ndjen konsumatori nga produkti. 85 decibel nuk do ishte e përshtatshme për shkak të zhurmës që vjen nga trafiku, makinat etj, të cilat do mbysnin zërin,” thotë ai.
Deputeti konservator Martin Callanan, i cili bën pjesë në Komitetin e Mjedisit, Shëndetit Publik dhe Sigurisë së Ushqimit të Parlamentit Evropian thotë: “Fëmijët gjithnjë e kanë dëgjuar muzikën me volum të lartë, dhe kjo nuk do i ndalë.”
Ai shton: “Ata duhen edukuar për rreziqet, por duhen lejuar të marrin përgjegjësitë personale dhe zgjedhjen personale.”
Herë të shfletuara: 967